Shqetësimi dhe ankthi kanë pushtuar Barcelonën, jo aq për barazimin me Valencian që mesa duket nuk e dëmtoi aspak duke qenë se Atletico humbi me Betis duke i dhënë mundësi katalanasve ta rrisin në 6 pikë diferencën, sesa për dëmtimin e pësuar nga Lionel Messi. Argjentinasi që shpëtoi nderin e kampionëve të Spanjës me dy golat e tij, pati një problem në këmbën e djathtë që erdhi pas një përplasjeje me një prej mbrojtësve të Valencias dhe është seriozisht në dyshim për ‘El Clasicon’ me Realin e Madridit në Kupën e Mbretit që do të luhet të mërkurën në Camp Nou. Dëmtimi nuk duket shumë i rëndë dhe vetëm të hënën do të mësohet nëse Messi do të zbresë në fushën e lojës në përballjen me skuadrën merenges.
Mund të ndodhë që trajneri Valverde të mos rrezikojë me kapitenin e saj dhe të mos e aktivizojë në sfidën e parë me madrilenët, dhe nëse kjo do të ndodhë, nuk do të jetë hera e parë që Barcelona do të luajë El Clasico pa Messin.
Në fakt tifozët e Barcelonës duke parë precedentët e ndeshjeve me Realin pa Messin, nuk duhet të shqetësohen pasi katalanasit kanë dalë super të fituar. Ka ndodhur një gjë e tillë në sezonin 2015/2016 kur Messi pësoi një dëmtim në gjurin e majtë në ndeshjen me Las Palmas. Argjentinasi ishte në skuadër për sfidën me Los Blancos në Bernabeu, por trajneri i asaj kohe, Luis Enrike preferoi të mos e aktivizojë që nga minuta e parë dhe e futi në lojë në pjesën e dytë kur Barcelona kishte zgjidhur ndeshjen pasi rezultati ishte 3-0.
Për të parë një tjetër precedent të Barcelonës që përballet me Realin pa Messin nuk duhet të shkojmë shumë larg. Në El Clasicon e parë të këtij sezoni të zhvilluar në tetor, Messi nuk ishte i pranishëm në Camp Nou për shkak të një dëmtimi të pësuar në sfidën ndaj Sevijas. Zhgënjimi për mungesën e tij u shndërrua në një festë për katalanasit duke qënë se Barcelona e shkatërroi 5-1 Realin e Madridit, një disfatë që solli edhe shkarkimin e Hulen Lopetegit nga posti i trajnerit të 13 herë kampionëve të Evropës.
sfidanti.al