Nuk mjaftojnë hallet në fushën e lojës, por ka edhe të tjera. Me të vërtetë, Juventusi nuk po kalon një periudhë aspak të lumtur dhe tronditja e radhës erdhi nga kontrolli që Policia financiare italiane i bëri zyrave të klubit një ditë më parë. Dyshimet janë për ato që quhen plusvalenca, apo fitime prej 282 milionë eurosh, një shifër tepër e lartë. Juventusi dyshohet për mashtrim financiar me bilancet, një akuzë mjaft e rëndë. Nga prokuroria janë bërë përgjime telefonike, lidhur edhe me çështjen e quajtur “karta sekrete e Kristiano Ronaldos”, që do të thotë lidhur me kontratën e portugezit. Vetë futbollisti, gjithsesi, nuk rezulton të jetë nën hetim.
Çfarë rrezikon “Zonja e Vjetër”? Disa kohë më parë, klubit të Parmës iu hoqën tri pikë në renditje pas një hetimi të tillë, ndërsa mund të kërkohet edhe heqja e 15 pikëve, pasi rasti juventin duket më i rëndë. Gjithsesi, situata bëhet edhe më delikate nëse vërtetohet se Juventusi ka bërë mashtrim për t’u regjistruar në një kampionat apo konkurrim ku nuk duhej të ishte. Kjo bë të rrezikojë edhe përjashtimin nga Seria A. Nën hetim janë presidenti Anjeli, zv. presidenti Nedved dhe ish-drejtori i zonës sportive, Paratiçi. “Zonja e Vjetër” rrezikon një tjetër skandal të madh, pas atij të “Kalçopolit” 15 vjet më parë, kur u zbrit në kategorinë e dytë, dhe kur iu hoqën dy tituj kampion të fituar në 2005 e 2006, për shkak të manipulimit me arbitrat.
Sfidanti.al