Ronaldo është ende jashtëtokër, çfarë goli shënoi ndaj Gjermanisë!

Ky njeri është i paoksidueshëm. Nuk ka sulmues më të madh sesa Kristiano Ronaldo këto kohë dhe klasin, formën e ambicien e tij, kapiteni i Portugalisë e vërtetoi edhe në Mynih. CR7 shënoi një gol të veçantë, që i dha avantazhin portugezëve ndaj Gjermanisë në Kampionatin Europian, duke treguar një formë fizike vërtet të jashtëzakonshme. Ai u nis nga porta e tij, pasi fitoi një duel ajror në një goditje dënimi të gjermanëve, vrapoi plot 97 metra duke arritur shpejtësinë maksimale 30.5 km në orë, dhe pastaj u ndodh në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë topin që ia shërbeu shoku i skuadrës.

Nuk ishte pra thjeshtë një prekje për të realizuar, por një sakrificë personale që kapi në befasi futbollistët kundërshtarë. Ronaldos iu deshën vetëm 14.2 sekonda për të kaluar 97 metrat, nga porta e tij në atë të portierit gjerman, Manuel Nojer, ndërsa të gjitha këto të dhëna fizike janë të pabesueshme për një futbollist të moshë 36-vjeçare. Për më tepër, për një lojtar që ka pasur një sezon kaq shumë të ngarkuar me Juventusin në Itali e në Champions si dhe me kombëtaren.

Kristiano ka tani 107 gola me përfaqësuesen, duke qenë vetëm 2 gola larg rekordit botëror që mbahet nga sulmuesi iranian, Ali Daei. Është e sigurt që ai do ta thyejë rekordin, por nuk dihet nëse këtë do ta bëjë në Europian, apo më pas.

Sfidanti.al