Tifozët dhe mediat nuk janë aspak të kënaqur. Kur Spanja barazon dy herë radhazi, edhe pse luan në fushën e saj, do të thotë se rreziku i eleminimit nga Europiani është i madh, ndërsa pretendimet për titull jo edhe aq. Pas 0-0 me Suedinë, ja një 1-1 me Poloninë në stadiumin e Seviljes, dhe këtë herë nuk mund të thuash se spanjollët merituan më shumë. Nëse ndaj suedezëve patën epërsi të madhe në lojë, por nuk shënuan dot golat, polakët bënë rezistencë tjetër dhe kishin mundësitë e tyre.
Një gol i Alvaro Moratës sikur dha shpresë, por ky ekip nuk ka përvojën dhe qendrueshmërinë e skuadrave të dikurshme që fituan dy Europianë dhe Kupën e Botës, madje edhe atëherë kur nuk mundeshin të shkëlqenin. Dyshimet ishin të mëdha nëse qendërmbrojtësit e Spanjës mund të përballonin një sulmues klasi si Robert Levandovski dhe ylli i Bajernit i ndëshkoi, edhe pse gaboi në pjesën e parë. Dakord, iberikët protestuan për golin e barazimit, sepse u duk faull ndaj Laportes, por VAR-i nuk e sinjalizoi dhe arbitri e quajti të rregullt.
“Furitë e Kuqe” nuk dhanë besim madje as kur iu akordua një penallti, të cilën e gabuan dy herë. Fatkeqësi për Gerard Morenon që i kishte shënuar të 12 penalltitë këtë sezon për Vijarrealin, por spanjollët e kanë traditë të gabojnë në Europianë, me 6 nga 11 gjithsej. Sidoqoftë, nuk duhet të mërziten shumë, pasi këtë Europian po gabohet shpesh, plot 5 nga 9 11-metërsh të dhënë. Me dy barazime dhe me një Alvaro Morata të pasigurt në sulm, trajneri Luis Enrike e di se rreziku ekziston, dhe se ndeshja ndaj Sllovakisë duhet fituar me patjetër. Deri tani kjo Spanjë duket larg nga një Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë madje edhe Holandë.
Sfidanti.al