Xhejms Harden udhëheq “Paradën e Yjeve” në NBA

Xhejms Harden nuk e ndërpreu serinë e tij të mrekullueshme të pikëve, dhe Hjustoni arriti një tjetër fitore. Lojtari numër 1 i NBA-së këtë vit, pati 35 pikë në një nga ndeshjet më të vështira, atë ndaj Torontos. Ekipi nga Teksasi ia doli 121-119, ndërsa Harden u sfidua deri në fund nga ylli mik, Leonard, që realizoi 32 pikë.

Tashmë, u bënë 22 ndeshje radhazi që Hardeni shënon 30 pikë apo më shumë, në ndjekje të serisë së Uilt Çembërlenit prej 25 ndeshjesh të tilla. Çembërleni ka edhe seritë e tjera, me 31 dhe rekordin me 65 takime radhazi me të paktën 30 pikë.

Harden po ndjek edhe një tjetër rekord. Ishte po hera e 22-të radhazi që ai ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, duke lënë pas legjendën Majkëll Xhordan (21), por duke qenë ende në ndjekje të Uilt Çembërlenit, që arriti deri në 40 ndeshje si shënuesi më i mirë për të dyja skuadrat.

Edhe në ndeshjet e tjera pati lojtarë që shkëlqyen veç të tjerëve.

Janis Antetokumpo realizoi 34 pikë dhe kapi 14 topa në tabela për Miluokin. Skuadra kryesuese e NBA-së ishte 11 pikë prapa Sharlotës, por reagoi në periodën e katërt, duke triumfuar 108-99. Antetokumpo pati edhe 3 asiste, 3 vjedhje topi dhe 3 bllokime gjuajtjesh. Tashmë, Miluoki ka gjashtë fitore radhazi, dhe bilancin 35 fitore e 12 humbje, më të mirin në kampionat.

Luka Donçiç shënoi 32 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë në fitoren 106-101 të Dallasit, në fushën e vet ndaj Detroitit. Adoleshenti 19-vjeçar slloven vazhdon të jetë debutuesi më i mirë i sezonit në NBA.

Denveri e tejkaloi, ndërkaq, mungesën e yllit kryesor Nikola Jokiç, dhe fitoi thellë në fushën e vet ndaj Feniksit, 132-95. Kjo, pasi tetë lojtarë shënuan mbi 10 pikë secili. Së fundi, Lou Uilliams ishte vendimtar për Los Anxhelos Klipersat, edhe pse e nisi ndeshjen në stol. Ai pati një tripëll dabëll me 31 pikë, 10 topa në tabela e 10 asistë, në suksesin 106-101 në fushën e Çikagos.

Sfidanti.al