Volejboll femra, Skënderbeu merr titullin 36 vjet pas brezit të Dunit, Qiricit e Tashos!

Për herë të fundit ia kishin dalë në një kohë tjetër. Vajzat e Skënderbeut të Korçës në volejboll ishin në kryeqytetin shqiptar me një mision të madh, atë të rikthimit të titullit kampion në qytetin e tyre pas 36 viteve, që nga koha kur ia kishte dalë brezi i artë i Dunit, Qiricit, Tashos, Miços apo Matit, me trajnerin Pandi Gëllçi. Që nga ajo epokë, kur korçaret përplaseshin me Dinamon e madhe të Kreshnik Tartarit, Ela Tases e Mimoza Ibrahimit, ka kaluar kohë aq sa nuk mbahet mend, por për fat skuadra e traditës ia doli. Skënderbeu është kampioni i ri i Shqipërisë në volejboll për femra pasi mundi Tiranën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, në ndeshjen e katërt të finaleve të plej ofit.

Sfida përfundoi 3-1 për mikeshat, dhe po kaq edhe rezultati me fitore mes dy ekipeve. Tirana e trajneres Amarilda Prenga bëri gjithçka dhe për të ishte sukses arritja në finale, me titullin e fundit fituar në 2013. Rezultati i seteve ishte 25-19, 25-23, 24-26 dhe 25-23. Vajzat nga Korça, të drejtuara nga trajneri Pandush Kapedani, patën epërsi këtë sezon, ndërsa kishin fituar edhe Ligën e Përbashkët me Kosovën, të quajtur “Gjergj Kastrioti”, ndonëse në finalen e Kupës së Shqipërisë u mundën nga Tirana. Ky ishte titulli i 6-të kampion për Skënderbeun në histori.

Sfidanti.al