Nuk pati dorëzim titulli. Skënderbeu nuk lejoi që Partizani të shfrytëzonte mundësinë e parë për t’u shpallur kampion i vendit në volejboll për femra, dhe kjo nuk ndodhi në Korçë. Në një Pallat Sporti të mbushur me një numër të madh tifozësh, vajzat korçare ia dolën 3-1 në sfidën e katërt finale, duke e barazuar rezultatin e serisë në 2-2. Një përballje e fortë që zgjati gati 2 orë, saktësisht 1 orë e 54 minuta, ndonëse nuk qe nevoja për setin final. Skënderbeu fitoi dy setet e para, 25-23 dhe 25-19, por Partizani nuk lejoi që sfida të përfundonte 3-0.
Vajzat kryeqytetase ia dolën 25-19 pas 26 minutash lojë, ndërsa seti final pati më pak ekuilibër. Skuadra e trajnerit Orlando Koja këmbënguli dhe e përfundoi më shpejt sesa pritej me shifrat 25-16. Koja bëri një analizë të paraqitjes së ekipit të tij, dhe shprehu besimin për finalen e fundit. Tashmë, titulli do të vendoset nga ndeshja e pestë dhe e fundit e finaleve të plej ofit në kryeqytet, këtë të premte.
Sfidanti.al