Volejboll femra, Partizani një hap larg grupeve të Championsit!

Një sukses që mungonte prej kohësh u arrit në sportin e rrjetës. Partizani për femra kaloi turin e dytë të Ligës së Kampionëve, dhe do të synojë që të kalojë edhe turin e tretë për të fituar të drejtën e konkurrimit në fazën e grupeve. Vajzat kryeqytetase, të drejtuara tashmë nga trajneri turk Nezhat Sanxhak, eleminuan kampionen e Bosnjë-Hercegovinës, Bimal-Jedinstvo të qytetit të Brçkos, duke arritur dy fitore.

Një javë më parë, triumfuan në Tiranë 3-1, ndonëse me pikë të vogla, por kjo nuk u prishi asnjë punë, sepse u arrit fitore edhe jashtë fushe. Partizani ia doli 3-2, pas një ndeshjeje të fortë. Setet ishin 21-25, 25-19, 18-25, 25-21, 13-15. Në turin e tretë, vajzat e kuqe do të ndeshen gjatë këtij muaji me kampionen e Hungarisë, Vashash Budapest, një kundërshtar shumë i fortë, që eleminoi pa probleme kampionen e Malit të Zi, Luka Bar, me dy fitore 3-0. Nëse Partizani kualifikohet, do të hyjë në fazën e grupeve të Championsit, ku do të jenë skuadrat më të forta të Europës si ato turke, italiane, ruse apo polake. Nëse humbet, do të kalojnë në grupet e Kupës së CEV-it.

Sfidanti.al