Fati mënjanë, merita ishte e gjitha e tij që arriti suksesin në Principatë. Maks Verstapen më në fund doli në vend të parë në renditjes së Botërorit të Formula 1, dhe tashmë duket një pilot më i pjekur, por edhe me një makinë shumë më të mirë. Red Bulli i tij ishte më i shpejtë sesa Mercedesi gjatë gjithë fundjavës në Çmimin e Madh të Montekarlos, po ashtu gomat u konsumuan më pak dhe ai përfitoi nga kombinimi i rrethanave për të mundur në mënyrë të dyfishtë kampionin e botës, Ljuis Hamilton.
“Është shumë speciale kur fiton këtu, – tha ai, – madje kjo është hera ime e parë në podium këtu. Një garë e shkëlqyer (në fakt, e mërzitshme), ka shumë xhiro dhe duhet të jesh i vëmendshëm, ka shumë të papritura. Rëndësi kanë gomat dhe momenti që zgjedh për ndalesën. Të tjerët u ndalën më shpejt dhe kjo ma lehtësoi punën, por ne e kishim gjendjen nën kontroll. Jam krenar, por tashmë e kam mendjen tek garat e ardhshme, një sezon shumë i gjatë”.
Ljuis Hamilton u ankua për skuadrën që e thirr për të ndërruar gomat shumë shpejt. “Unë po përpiqem të kursej gomat, kurse ju më thërrisni në ndalesë përpara të tjerëve”, – tha ai në radio. Gjithsesi, mediat angleze komentuan se Mercedesi pati probleme. “Ne humbasim si ekip, – tha më pas Hamiltoni, – ashtu siç fitojmë si ekip. Përgëzime Maksit që fitoi, po ashtu Red Bullit. Ne do të përpiqemi të kthehemi më të fortë, ndonëse pista në Azerbajxhan mendoj se favorizon sërish Red Bullin. Për këtë arsye, duhet të punojmë shumë për të zgjidhur problemet”.
Sfidanti.al