Bejl “tërbon” mediat e Madridit dhe mbron Eden Hazarin!

Një miku im trajner, Luan Sengla, thoshte vite më parë për talentin e shkëlqyer nga Uellsi, “e admiroj dhe mendoj se kurrë nuk mund të bëjë një gjë të keqe sepse është tepër fisnik në mënyrën sesi qendron, sesi sillet”. “Lushku” ka të drejtë sepse Garet Bejl është vërtet një fisnik i futbollit, nga ata fisnikë që janë racë në zhdukje, ndërsa ky sport është kthyer në një biznes ku aktorët duhet të bëjnë gjithçka që u kërkojnë sponsorët në mënyrë që të krijojnë pasuri. Garet Bejli mesa kuptohet nuk dëshiron të jetë një njeri i “klonuar”, por vetvetja, siç duket edhe në intervistën që jep për “Tajmsin” e Londrës.

“Në Spanjë futbolli është tepër i fryrë, gjithçka që bëhet në Madrid është e fryrë, – thotë ylli me sinqeritetin që e karakterizon, – në Madrid shpresojnë dhe presin që të jesh galaktik, të sillesh si ata që kanë qenë më parë. E vërteta është që unë nuk jam si ata. Më pëlqen të jem vetja ime, të rri me njerëzit që më pëlqen, të them atë që mendoj. Këtu duan që të krijojnë personazhe, një histori, të jesh një markë, por mua nuk më pëlqen të jem ashtu. Dua të luaj futboll dhe të jetoj si njeri normal”. Bejl thotë se shtypit spanjoll kjo gjë nuk i pëlqen dhe krijon histori të pavërteta.

“Thonë se nuk flas spanjisht, por e vërteta është se flas mjaftueshëm për të komunikuar, për të mbrojtur veten, – thotë ai, – kuptoj gjithçka ndodh rreth meje, por shtypi mërzitet se unë nuk kam dëshirë të flas me ta”. Duke i dalë në krah Eden Hazarit, Bejli thotë se edhe belgu po sulmohet për dëmtimet e shumta dhe sepse pati një sjellje të qeshur pas eleminimit të Realit në “Stemford Brixh” në Champions. “Po flasim për një ndeshje futboll, asgjë më tepër”, – ishin fjalët e lojtarit të huazuar tek Totenhemi.

Sfidanti.al