Verstapeni bën paqe me Hamiltonin në prag të garës amerikane!

Kryesuesi i Botërorit të Formula 1 nuk është nga ata njerëz që tërhiqet nga sfidat, madje padyshim që i pëlqen shumë ato. Maks Verstapen do të ketë një tjetër duel me kampionin e botës, Ljuis Hamilton, ndërsa të dy do të ndeshen në pistën e Ostinit në Çmimin e Madh të SHBA-së këtë të diel. Rreth 140 000 tifozë do të jenë në tribunat e pistës, ndërsa Verstapen bën paqe me anglezin 36-vjeçar, me të cilin ka pasur dy aksidente dhe shumë “helm”. “Rivaliteti mes nesh nuk është ndonjë gjë kaq e keqe, – tha ai, – në fund të fundit, pas garave ne jemi ulur e kemi biseduar”. Hamilton e Verstapen patën përplasje në Silverston dhe Monza, ndërsa pritet që rivaliteti të prodhojë të tjera “shkëndija”. “Do të më pëlqente që gara për titull të vazhdonte deri në fund”, – thotë holandezi i Red Bullit, që kryeson renditjen me 6 pikë më shumë sesa anglezi i Mercedesit.

Sfidanti.al