Verstapen barazohet me legjendën Sena, arrin fitoren e 41-të në F1

Holandezi po “fluturon” e nuk dihet se ku mund të ndalet. Po flasim për kampionin e botës, Maks Verstapen, i cili barazoi një nga legjendat e Formula 1, Airton Senën. Piloti i Red Bullit arriti fitoren e 41-të në karrierë, pasi triumfoi në Çmimin e Madh të Kanadasë, po aq sa kishte arritur gjigandi i ndjerë nga Brazili. Ndryshimi është që Airtoni e arriti në 161 gara, Maksi në 171. Natyrisht, është epokë tjetër, dhe Verstapeni është me fat që rivalitetin nuk e ka në nivelin që e kishte Sena, kur në pistë ishin Alen Prosti, Nelson Pike apo Najxhel Mansel, ndërsa më pas erdhi Mikael Shumaher dhe ai vetë humbi jetën në përplasjen e tmerrshme në Imola në 1994. Piloti 25-vjeçar i Red Bullit ka tani 4 fitore radhazi këtë sezon, duke kryesuar renditjen e Botërorit dhe po shkon drejt titullit të tretë botëror radhazi. Në vend të dytë Fernando Alonso me Aston Martin dhe i treti Ljuis Hamiltoni me Mercedes.

Sfidanti.al