Toni Nadal: Federeri është më i miri në histori, por…

Toni Nadal, xhaxhai dhe trajneri i tenistit nr.1 në botë, Rafael Nadal, deklaroi, ditët e fundit, se Rozher Federeri është padyshim tenisti më i mirë në histori. “Federeri është tenisti më i mirë në histori. Janë shumë pak ata sportistë që kanë dominuar ose e dominojnë një sport të caktuar, ashtu si Federeri në tenis. Ndikimi i tij, gjatë afro dy dhjetëvjeçarëve të fundit, është spektakolar”, deklaroi Toni Nadal, duke theksuar se Federeri i ka të gjitha mundësitë që ta mbyllë sezonin me triumf. “Rozheri ende luan në një mënyrë spektakolare. Ai ka bërë ndryshime në lojën e tij, mjaft inteligjente, duke e bërë lojën e tij më agresive. Tani, është bërë më e vështirë që të luash kundër Federerit. Ai është edhe favoriti kryesor në turneun e mjeshtrave të Londrës.

Sidoqoftë, Nadali i madh thotë se Rafa Nadali mund ta arrijë Federerin. “Rafa luan, gjithnjë, në një nivel mjaft të lartë dhe edhe ai është një nga tenistët më të mirë të të gjithë kohërave. Nëse Rafa do të vazhdojë të luajë kështu dhe Rozheri do të tërhiqet, mbas disa vitesh, mund të nisë debati se kush është tenisti më i mirë në botë, vetëm se Rafa duhet që të fitojë edhe disa turne Grand Slem. Por, sidoqoftë, momentalisht, Federeri është më i miri”, tha Toni Nadal.

Sfidanti.al