Tifozët e Lebronit besojnë pas fitores së parë të Klivlendit!

Rreth 20 000 tifozë në Arenën e Klivlendit po ushtonin si një “motor” (ndoshta treni apo anijeje kozmike). Ekipi i tyre arriti fitoren e parë në Finalet e Mëdha të NBA-së dhe ata u mbushën me besim se, pavarësisht kundërshtarit të jashtëzakonshëm dhe pozitës shumë të vështirë, Kavaliersët mund t’ia dalin. Shifrat ishin shumë imponuese, 137-116, ndaj Golden Stejtit, edhe pse rezultati në finale është 3-1 për këtë të fundit. Asnjë skuadër nuk ia ka dalë ende të përmbysë një diferencë 0-3 në finale, por tashmë rezultati është 1-3 dhe Klivlendi ia doli vjet që ta përmbysë.

Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë, pasi ndeshja e pestë duke u gdhirë e marta në Shqipëri, do të luhet në Oklend, në fushën e Golden Stejtit. Nuk do të jetë e lehtë, pasi Kevin Durant e do patjetër një kampionat, ndërsa Uorriorsët mund të kenë sërish Stefën Kërrin më të mirë, pasi ylli i tyre zhgënjeu në ndeshjen e katërt, duke shënuar vetëm 14 pikë.

Kajri Irving shënoi 40 pikë për Klivlendin, Kevin Lov shtoi 23, Lebron Xhejms pati një tripëll dabëll me 31 pikë, 10 topa në tabela dhe 11 asistë, Ky ishte tripëll dabëlli i 9-të në finalet e NBA-së, rekordi i ri pasi u la pas rekordi i vjetër me 8, i Mexhik Xhonsonit. Durant udhëhoqi Golden Stejtin me 35 pikë, por nuk mjaftoi këtë herë.

Sfidanti.al