Të huajt bëjnë ligjin në Euroligë, mbi të gjithë një amerikan!

Ishte Bred Uonëmejkër (Wanamaker) lojtari më i mirë i javës në Euroligën e basketbollit. Amerikani ndihmoi fuqishëm Fenerbahçen që të fitonte në Stamboll ndeshjen shumë të vështirë ndaj Barcelonës në Championsin e meshkujve. Ai shënoi 24 pikë, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, dhe mori vlerësimin me notën 33. Pranë tij, ylli tjetër i Fenerbahçes, italiani Nikolo Meli me vlerësimin 21 (23 pikë, 4 topa në tabela, 2 asistë, një vjedhje topi).

Ishte java e të huajve në Euroligë, ku trajneri i Fenerit, Zheljko Obradoviç pati 8 të tillë si lojtarë kryesorë, por po ashtu CSKA e Moskës u mbështet tek jorusët për të vazhduar me fitoret, këtë herë 81-72 ndaj Broze Basket të Gjermanisë. Francezi De Kolo, spanjolli Rodrigez, dhe amerikanët Kori Higins, Uill Klajbërn, Kajl Hajns apo Otello Hanter ishin ata që mbajtën në krahë skuadrën moskovite.

Reali po ashtu kishte “armatën” e tij të huaj, me Luka Donçiçin si gjithnjë më të mirin (17 pikë, 6 topa në tabela, 5 asistë), Fabien Sosërin, Dino Radonçiçin, Jonas Maciulisin, Fakundo Kampazon, Xhejsi Kerrëllin apo Valter Tavaresin, ndërsa arriti të fitonte lehtë në Madrid me Anadolu Efesin, 87-68.

Në renditje, CSKA kryeson me 16 fitore e 4 humbje, ndjekur nga Fenerbahçe me 14-6, si dhe Reali, Panathinaikosi e Olimpiakosi me nga 13 fitore e 7  humbje.

Sfidanti.al