Tajson Fjuri e mendon veten si Usain Bolti apo si një Ferrari

Për herë të fundit ishte në ring në nëntor të vitit 2015. Kjo do të thotë dy vjet e ca pa boks, por Tajson Fjuri beson se ai mbetet po ai kampion i madh që ishte. Shtatlarti britanik, 29-vjeçar, është kthyer në stërvitje me furi të madhe, siç ia thotë edhe mbiemri, madje ka postuar edhe video të vetvetes në sparring, për të impresionuar rivalët e tij të mundshëm. “A nuk jam i shpejtë, – shkruan ai, – e ndjej veten të shpejtë si Usain Bolti apo si një Ferrari”.

Fjuri vërtet ka qenë shumë i shpejtë, ndonëse trupi i tij duket tepër i madh, kaba, për një boksier të niveleve të tilla. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi të mundte Vladimir Kliçkon në nëntor 2015 në Dyseldorf dhe të bashkonte të gjithë titujt kampionë të botës në peshat e rënda të boksit profesionist. Ai po përpiqet të kthehet në formë dhe të ndeshet me kampionin e tanishëm, Entoni Xhoshua, apo me amerikanin Uajlder.

Sfidanti.al