“Mos u mendo dy herë Luis”, i thotë Suarezit, trajneri Valverde

Luis Suarez shumë herë është kritikuar për sjelljen e tij agresive në fushë, ndonëse tek Barcelona nuk ka kafshuar askënd, siç ka bërë tek Ajaksi, Liverpuli apo në kombëtaren e Uruguajit. Gjithsesi, fjalët e ashpra nga ana e kundërshtarëve dhe mediave mundet edhe të ndikojnë në nivelin e lojës së tij, dhe kësaj i druhet trajneri i katalanasve, Ernesto Valverde.

“Kam folur me Luisin për këtë, – thotë Valverde, – por mënyra agresive e lojës së tij na ndihmon me golat që ai shënon dhe me hapësirat që ai krijon, ndonëse ekziston rreziku i kartonave”. Sulmuesi rrezikon të mos luajë në finalen e Kupës së Mbretit nëse merr karton të verdhë sonte ndaj Valencias, në gjysmëfinalen e dytë, diçka që i ndodhi vjet, pas gjysmëfinaleve ndaj Atletikos së Madridit. Uruguajani ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes së parë në “Kamp Nou”, ndërsa përballja e sotme në “Mestaja” pritet shumë e vështirë. Gjithsesi, Suarez e ka “bekimin” e trajnerit të tij që të vazhdojë të luajë po njësoj, pavarësisht nga rreziku.

Sfidanti.al