Jeta e natës mund të jetë e bukur për shumë njerëz, por jo për sportistët. Më mirë pa mëngjes apo pa drekë sesa pa gjumë, thotë sentenca dhe këtë e ka parasysh presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ndërsa mendon për Nejmarin. Ylli brazilian është ëndrra e madhe e momentit për Perezin, “flaka” e tij e re, veçse si njeri me përvojë, dhe si biznesmen me mendje të ftohtë, ai nuk dëshiron të hidhet në aventurë me sy mbyllur.
Kreu i Realit ka ngritur një komision i cili duhet të analizojë dhe të nxjerrë përfundime për jetën që bën Nejmar jashtë futbollit, por po ashtu edhe lidhur me ndikimin e babait në vendimet e tij, diçka që mundet edhe ta ç’ekuilibrojë, sipas miliarderit spanjoll. Mediat në Spanjë raportojnë se Perez ka në plan të bëjë një ofertë-rekord botëror për sulmuesin e Paris SG, dhe kërkon të jetë i sigurt nëse këto para do të investohen siç duhet apo jo.
PSG e mori Nejmarin për 222 milionë nga Barcelona, dhe që nga transferimi futbollisti ka shënuar 27 gola e ka dhënë 14 asistë në 26 ndeshje, ndonëse ka nga ata që thonë se këtë ai po e bën në një kampionat pak më të lehtë si ai francez, jo në La Liga apo Premier Ligë. Nejmar do të jetë pikërisht përballë Perezit dhe Realit “të tij” në turin e dytë të Championsit.
Sfidanti.al