Entoni Xhoshua është emri i ri i madh i peshave të rënda në boksin profesionist. Në një kategori ku dikur “kacafyteshin” Muhamed Ali, Xho Frejzer, Ken Norton e Xhorxh Foreman, dhe më vonë Majk Tajson, Evander Holifild e Lenoks Ljuis, kishte kohë që nuk ishte ndjerë një emocion i tillë. Mbretëria e vëllezërve Kliçko duket se më në fund po përfundon, dhe gjigandi britanik jep shpresë të madhe për kohë të arta. Ka një “recetë” kampioni i botës. Pasi arriti fitoren e 18-të radhazi në karrierë, Xhoshua postoi një foto ku ai shfaqej i ulur në një pishinë të madhe. “Pushim dhe rikuperim=Jetëgjatësi”, kjo ishte diçitura. Formën e shkëlqyer të tij e provoi amerikani Erik Molina që u mposht në vetëm 3 raunde në ringun e Mançesterit, ndërsa sfida e madhe do të jetë në prill, në “Uembli” të Londrës ndaj Vladimir Kliçkos. Një kampion i uritur si Xhoshua do të vazhdojë të mbështetet tek receta e tij e sprovuar për të mbajtur brezin e artë sa më gjatë që të jetë e mundur.