Jo Amerika, jo Serbia, as Argjentina apo Franca. Hapni rrugë sepse Botërori i koshit ka një kampion të ri, Spanjën. Skuadra e traditës së shkëlqyer në dy dekadat e fundit, më në fund arriti objektivin e madh, duke hyrë në histori e duke u bërë për herë të parë, më e mira në rruzull. Finalja në Pekin ndaj Argjentinës u fitua bindshëm, sikur të ishte një festival, me rezultatin 95-75, nga një ekip i udhëhequr nga Mark Gasol, Riki Rubio apo Sergio Jul.
Spanja e trajnerit Skariolo u shtohet ekipeve të mëdhenj të së kaluarës, si Bashkimi Sovjetik i Bjellovit, Jugosllavia e Dalipagiçit, Drazhen Petroviçit e Stojakoviçit, SHBA e Lebron Xhejmsit apo Argjentina e Xhinobilit e Skolës. Ky i fundit ishte edhe në këtë finale, ndoshta të fundit në karrierën e tij, duke mos mundur të merrte të artën e dytë në moshën 39-vjeçare, pas asaj të Lojrave Olimpike.
Gasol ishte më i miri në fushë me 14 pikë, 7 topa në tabela, 7 asistë, 2 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh, shifra të denja për një ndeshje të madhe në NBA. Argjentinës nuk i mjaftoi Kampaso, ndërsa më i miri për latinoamerikanët ishte Gabriel Dek që shënoi 24 pikë.
Sfidanti.al