Si e feston Lebroni 37-vjetorin? Duke shënuar 43 pikë mbrëmjen e Vitit të Ri!

Vazhdon të luftojë për trashëgiminë si basketbollisti më i madh në histori, diçka për të cilën duhet të matet me të tillë si Majkëll Xhordan, Bill Rasëll apo Karim Abdul Xhabar. Gjithsesi, Lebron Xhejmsi vazhdon rrugën e tij me madhështinë që nuk ndjen peshën e moshës. Ndërsa festoi 37-vjetorin, ylli i Lejkërsave pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Portlendit, në një fitore të madhe 139-106. Lebroni shënoi 43 pikë, rekordin e sezonit për të, kapi 14 topa në tabela, pati 4 asistë, 2 vjedhje topi dhe 2 bllokime gjuajtjesh. Ai u bë lojtari më i vjetër në historinë e NBA që shënon të paktën 40 pikë dhe kap 14 topa në tabela në një ndeshje, duke thyer rekordin e Lerri Bërdit. “Kam 19 vjet në këtë ligë, por nuk e ndjej, – thotë ai, – ndonjëherë duhet t’u tregosh njerëzve se je ende në gjendje t’i bësh disa gjëra”. Në 7 ndeshjet e fundit, Lebroni ka mesataren 36 pikë dhe gati 58 për qind saktësi. “Unë nuk kam thjesht dëshirë të bëj gjuajtje, – thotë ai, – unë kam qenë eficient dhe kjo më bën krenar”. Gjithsesi, Lejkërsat janë vetëm në vendin e 7-të në Perëndim me 18 fitore e 19 humbje.

Sfidanti.al