Serena, një “plakë” e lavdishme synon rekordin e Navratilovës

Nuk ka asnjë “plakushe” të tenisit që të ketë bërë këtë që arriti ajo. Serena Uilliams u bë më e vjetra grua finaliste e një Grand Slemi në historinë e këtij sporti, pikërisht në moshën 37-vjeçare, ndërsa një legjendë si Martina Navratilova e realizoi 34 vjeç. Amerikania shprehimisht “fluturoi” në fushën qendrore të Uimbëlldonit ndaj çekes 33-vjeçare, Barbora Stricova, duke fituar aq lehtë sa nuk mendohej, 2-0 me sete, dhe me shifrat 6-1 e 6-2.

Një nënë disi e rënduar nga pesha u duk e lehtë si pupël dhe tepër e shpejtë në veprime, ndonëse do të testohet fort në finale nga rumunia Simona Halep. Serena do të synojë titullin e 24-ët Grand Slem, pra do të kërkojë barazimin e rekordit botëror të australianes Margaret Kërt. Kjo është finalja e 11-të e saj në Uimbëlldon, vetëm një finale më pak sesa madhështorja Navratilova. Nëse fiton, do të ishte titulli i 7-të në “Oll Inglënd Klab”, sërish një më pak se rekordi i femrave që mbahet po nga Navratilova.

Halep, ish-numri 1 i botës, arriti finalen e saj të parë në Londër, ndërsa vjet doli kampione në “Rolan Garos”, e po në 2018 doli në finale në Australian Open, ndërsa në 2015 ishte në finalen e US Openit. Rumunia, numri 7 në botë sot për sot, fitoi gjithashtu lehtë ndaj bjelloruses Elina Svitolina, 2-0 me sete, dhe me rezultatin 6-1 e 6-3. Edhe pse nuk i ka trofetë dhe lavdinë e Serenës, ajo e di se ka shanset e saj në finale.

Sfidanti.al