Një trajner i madh është gjithnjë garanci për një skuadër të madhe. Edhe nëse nuk arrin të fitojë trofe, Interi i Antonio Kontes do të jetë një sfidant i madh i Juventusit për titullin kampion, dhe po ashtu besohet se do të synojë të ecë larg në Champions. Ish-trajneri i Italisë, Çelsit dhe Juves ka krijuar entuziazëm të madh në klubin zikaltër, ndërsa për 45 milionë euro është siguruar një “margaritar” si Nikolò Barela. Ylli 22-vjeçar i Kaljarit dhe i Italisë do të luajë në “San Siro” sezonin e ardhshëm, ndërsa pritet nesër vizita mjekësore. Fillimisht, do të jetë huazim për 12 milionë euro, për t’u dhënë më pas 25 milionë euro për kartonin dhe 8 milionë euro të tjera si bonuse.
Nga Italia njoftojnë se kroati Ivan Perishiç nuk ka ndërmend të largohet, por është bërë “me krahë” nga prania e trajnerit. Lojtari i krahut është i bindur se do të jetë i suksesshëm në Milano. Tashmë, pritet të merret përgjigja “po” nga Mançester Junajtidi për Romelu Lukakun. Nuk do të jetë e lehtë, pasi do të duhen patjetër 75 milionë euro, në mos më shumë, dhe Interi do të këmbëngulë vetëm për të paguar në tre këste, ndoshta duke dhënë një “dorë të mirë” në këstin e parë.
Sfidanti.al