Sa rrezik ka nga korona? Kur anulohet edhe gara Oksford-Kembrixh!

Nuk kishte ndodhur kurrë diçka e tillë përveçse në kohë lufte. Gara e varkave mes Universiteteve të Oksfordit dhe Kembrixhit në Angli, u anulua nga organizatorët për shkak rrezikur nga koronavirusi. Konkurrimi që zhvillohet në lumin Tamiz të Londrës, u cilësua si rrezik për shëndetin e popullsisë, pasi ndiqet çdo vit nga të paktën 250 000 spektatorë.

Kjo garë nisi në 1829, ndërsa u bë e përvitshme që nga 1856, dhe ndërprerjet kishin ndodhur vetëm gjatë luftërave botërore. Ajo nuk u zhvillua në vitet 1915-1918 dhe në vitet 1940-1945, por që nga ajo kohë nuk ishte ndërprerë asnjëherë. Vendimi për anulimin e konkurrimit për këtë vit tregon sesa i madh është rreziku nga epidemia, madje edhe në Britaninë e Madhe, e cila ndryshe nga shumë vende të tjera ka pasur qendrim më liberal ndaj koronavirusit. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që ndonjë epidemi të kishte shkaktuar një gjë të tillë.

Ekziston mundësia që kampionati në lumin e Londrës të zhvillohet në qershor, por kjo duket e vështirë për shkak të grupeve të ndryshme të interest të përfshira në të. Një ide ishte që gara të zhvillohej pa spektatorë, por praktikisht kjo është e pamundur sepse nuk mund të izolohen brigjet e lumit në gjatësi prej gati 7 kilometrash nga të dyja anët. Në konkurrimin historik, Kembrixhi kryeson ndaj Oksfordit si për meshkuj, ashtu edhe për femra.

Sfidanti.al