Vështirë të gjesh ndonjë, apo ndoshta edhe mund të ketë pasur, por padyshim ishte diçka e rrallë. Një tenist britanik vetëm 19-vjeçar dhe numri 253 në botë, luftoi si luan kundër Numrit 1 të botës, Novak Gjokoviçit, duke u mundur me nder e me lavdi pas 2 orësh. Xhek Drejpër, i ardhur në Uimbëlldon me ftesë, fitoi setin e parë ndaj kampionit të dy edicioneve të fundit të zhvilluara në 2018 e 2019, duke u dorëzuar më pas në humbjen 1-3. Publiku britanik në “Oll Inglënds Klab” (All England’s Club”) brohoriti për idhullin e tij të ri, i cili mori setin e parë 6-4. Më pas, Gjokoviç reagoi dhe fitoi të dytin 6-1, si dhe dy të tjerët me të njëjtin rezultat 6-2. “Mendoj se ai meriton duartrokitje të mëdha, – tha tenisti serb më pas, – ai luajti një ndeshje të madhe në të gjitha drejtimet. Ndoshta ai mund të përmirësohet me lëvizshmërinë, por themelet i ka shumë të forta”.
Sfidanti.al