“Rënia e idhujve” në NBA, Golden Stejti dhe Lebroni rrezikojnë dështimin!

Hierarkia në NBA duket se po ndryshon. Një skuadër finaliste e vjetshme dhe një yll i madh po ashtu finalist, po marrin humbje pas humbjesh, në mënyrë krejt të panatyrshme. Golden Stejti, kampion në fuqi i ligës më të fortë të basketbollit në botë, pësoi një tjetër disfatë, madje në fushën e vet, edhe pse kundërshtari ishte pa lojtarin kryesor. Hjustoni u imponua me shifrat 118-112, pavarësisht nga mungesa e Xhejms Hardenit, që u kursye për shkak të një dëmtimi të lehtë.

Jo gjithnjë talenti përkthehet fitore, edhe pse Golden Stejti e ka me shumicë. Në parket ishin Stefën Kërri, Kevin Duranti, Klej Tompsoni, Demarkus Kouzinsi, madje edhe Drejmond Grini që u dëmtua në pjesën e katërt. Kris Pol udhëhoqi ekipin nga Teksasi, ndërsa Golden Stejti rrezikon shumë që të mos e mbrojë dot titullin, për shkak të uljes së ritmit dhe vetëkënaqësisë nga sukseset e shumta. Kjo, edhe pse kryeson Konferencën Perëndimore në NBA.

Edhe më keq mund ta pësojë Lebron Xhejmsi. Nënkampioni në fuqi i NBA-së, që u largua nga Klivlendi në kërkim të titullit, është gjithnjë e më larg plej ofit me Lejkërsat. Skuadra nga Kalifornia u mposht në fushën e Nju Orlinsit, edhe pse ylli kryesor i vendasve, Entoni Dejvis nuk luajti në këtë ndeshje.

Rezultati ishte 128-115, dhe Lejkërsave nuk u mjaftuan 27 pikët e Lebronit, as 7 topat e tij në tabela dhe 12 asistet, po ashtu 4 vjedhjet e topit. Nuk mjaftuan as 29 pikët e të riut Brandon Ingram, ndërsa Xhejms u vërshëllye nga tifozët vendas, pasi deshi që t’u merrte yllin kryesor, Entoni Dejvisin. Los Anxhelos Lejkërs është në vendin e 10-të në Perëndim, tri humbje larg vendit të 8-të që të kualifikon për në plej of.

Sfidanti.al