Nëse në futboll, katalanasit prej vitesh sundojnë në Spanjë, në basketboll ndodh e kundërta. Reali vazhdon dominimin në kampionat dhe në “El Klasiko” duke fituar sërish titullin, madje brenda në “Palau Blaugrana” të Barcelonës. Të besuarit e trajnerit Pablo Lasa triumfuan 74-68 në ndeshjen e katërt të finales së plej ofit, duke ia dalë përfundimisht 3-1. Ky ishte titulli i 4-ët në 5 sezonet e fundit për “los blankosit”.
Në të vërtetë pritej tjetër gjë gjatë finaleve, sepse Barça kishte fituar 4 nga pesë ndeshjet e edicionit deri përpara finaleve të plej ofit, përfshi sezonin e rregullt të kampionatit, Kupën e Mbretit dhe Euroligën. Kishte fituar madje 6 nga 8 sfidat e fundit, por dështoi në momentin e së vërtetës. Dështimet e Barcelonës në Ligën Endesa vazhdojnë, dhe titulli i fundit i përket vitit 2014.
Madrilenët u udhëhoqën nga argjentinasi Fakundo Kampaso dhe afrikani Uolter Tavares. Këta dy lojtarë nuk kanë si bëhen më të ndryshëm, pasi Kampaso është vetëm 1.80 metra shtatlarë, kurse Tavaresi 2.21 metra. Argjentinasi shënoi 16 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë, një nivel prej NBA-je edhe pse me më pak minuta se në Amerikë. Tavares shtoi 10 pikë e 13 topa në tabela. Ata u ndihmuan edhe nga Entoni Randolf (10 pikë, 6 tabela), Rudi Fernandez (12 pikë) apo Fabien Kasër (10 pikë, 5 tabela).
Sfidanti.al