Qirios-Nadal, si nuk u zutë me grushte në mes të fushës?!

Tenisi mund të quhet “sporti i zotërinjve” (sic), por ndodh që zotërinjtë të jenë me nerva. Njëri nga më të acaruarit qëllon të jetë shpesh Nik Qirios, australiani me origjinë greke, i cili e tregoi këtë edhe në duelin me Rafael Nadalin në Uimbëlldon. Spanjolli fitoi 3-1 me sete sfidën e raundit të dytë, por jo pa pasur një thuajse kacafytje në fushën qendrore të Grand Slemit të Londrës.

Në setin e tretë, Qiriosi goditi topin me forcë drejt trupit të Nadalit, por spanjolli mundi ta shmangte kontaktin. “Po, – tha australiani më pas, – doja ta goditja Nadalin në trup, dhe nuk kam ndërmend të kërkoj falje. Përse ta bëj? Ai ka fituar shumë Grand Sleme dhe ka shumë para në bankë, pra çfarë do t’i bënte një goditje në trup?”

Nadali u përmbajt, por nuk ia ndau vështrimin kundërshtarit për një kohë të gjatë, derisa loja rifilloi (siç duket në foto). “Ajo që bëri Niku ishte e rrezikshme, – komentoi spanjolli, – nuk them se e bën me qëllim për të më dëmtuar, por ishte e rrezikshme. Më shumë e rrezikshme për gjyqtarët e vijës dhe për publikun, sepse mund të goditen nga një top i tillë”.

Qirios u ankua pas ndeshjes se Nadali u përpoq të prishte ritmin e tij, duke kërkuar vonesa në shërbim, diçka që gjyqtari kryesor ia lejonte, ndaj ai e quajti arbitrin “një fatkeqësi”. Nuk është hera e parë që australiani ka sjellje të tilla, madje ai ka bërë deklarata aspak të hijshme, por deri më sot nuk është se ka marrë ndonjë dënim të rëndësishëm.

Sfidanti.al