Pusho i qetë Xherri Sloun, NBA i jep lamtumirën trajnerit të famshëm!

Sëmundja e Parkinsonit dhe ajo e demencës nuk bëjnë shaka, dhe nuk pyesin për emrat. Viktimë e tyre ra edhe një nga trajnerët më të famshëm të sportit në botë, Xherri Sloun. Amerikani i shquar u shua në moshën 78-vjeçare, ndërsa do të mbahet mend si basketbollist i rëndësishëm i NBA-së dhe si trajner ndoshta edhe më i rëndësishëm, sidomos me Juta Xhazin. Si lojtar luajti dy herë në Ndeshjen e Yjeve dhe u zgjodh 4 herë në ekipin mbrojtës të vitit. Numri i tij i fanelës, 4, është tërhequr nga Çikago Bulls.

Si trajner, e nisi me Bullsat, por nga 1982 u largua, për t’u bashkuar në 1985 me Jutën, nga e cila nuk u nda kurrë. Në 1988 u bë trajner i parë, dhe e drejtoi ekipin deri në 2011, për 22 vjet (21 sezone të plota). Ai mbetet trajneri me karrierën më të gjatë pa ndërprerje në një klub, në të gjitha ligat e mëdha sportive të SHBA-së (basketboll, bejsboll, futboll amerikan, hokej në akull). Ai doli dy herë në finale të NBA-së me Juta Xhazin, në 1997 e 1998, të dyja herët i mundur me rivalitet nga Çikago e Majkëll Xhordanit. Ai arriti 1 223 fitore e pati 803 humbje, ndërsa cilësohet si një nga 4 trajnerët më të rëndësishëm në NBA, bashkë me Red Auerbahun, Greg Popoviçin, Pat Rajlin apo Fil Xheksonin.

Sfidanti.al