Nuk është nga “gjahtarët” më të mëdhenj të golave, por sidoqoftë, është një sulmues i respektuar. Vedat Ibisheviç, futbollisti nga Bosnjë-Hercegovina, ndihmoi Hertën e Berlinit të fitonte derbin ndaj Unionit të Berlinit luajtur në stadiumin “Olimpik” e që përfundoi 4-0. Një “ujk” i vjetër i zonës së rreptësisë, sot 35 vjeç, ai prishi ekuilibrin e një ndeshjeje të Bundesligës që e mbylli pjesën e parë pa gola.
Ibisheviç shënoi në 51’, ndërsa më pas ishte vendimtar me pasimin e dhënë për Dodi Lukebakion, që realizoi rrjetën e dytë 71 sekonda më pas. Mateus Kunja e Dedrik Bojata vulosën shifrat në “Olimpia Shtadionin” pa spektatorë. Ai ka gati 200 gola në karrierë për klubet dhe kombëtaren e Bosnjë-Hercegovinës. Një lehtësim për Hertën që ka tani 34 pikë duke qenë në mesin e renditjes, ndërsa Unioni i Berlinit mbeti më pas, me 30 pikë.
Sfidanti.al