Në Itali do të kujtohet gjithmonë si trajneri i mirë i skuadrave të vogla e mesatare, duke arritur suksese me to. Xhixhi Simoni, me emrin e plotë Luixhi, ngjiti fillimisht Xhenoan në Serinë A në 1976. Ngjitje në kategori arriti shumë me Pizën, Breshën, Kremonezen, por edhe të tjera, ndërsa u vlerësua edhe nga Napoli. Në 1997, Masimo Morati i besoi Interin e tij të shtrenjtë, të përbërë nga lojtarë shumë të mirë, e sidomos nga “Fenomeni” Ronaldo. Pranë fundit të sezonit, ndodhi episodi i famshëm kur Ronaldo u rrëzua në zonë nga Iuliano, por gjyqtari nuk dha penallti, ndërsa në aksionin pasardhës, akordoi 11-metërsh për Juventusin. Torinezët fituan 1-0 dhe morën kampionatin, ndërsa Interi mbeti në vend të dytë.
Këtë histori e kujton ish-presidenti zikaltër, Masimo Morati. “Simonin nuk e lanë të fitonte titullin kampion, – u shpreh miliarderi, – ai ishte një protagonist i madh i historisë së Interit. Fitoi një kupë europiane shumë të rëndësishme (3-0 ndaj Lacios në 1998), ndërsa kampionatin e penguan ta merrte, ndërsa do ta kishte merituar absolutisht”. Morati theksoi se lajmi për vdekjen e Simonit e tronditi thellë.
Sfidanti.al