Arriti fitoren e tretë radhazi dhe u shkëput në 32 pikë nga rivali i tij më i afërt, kampioni i botës në fuqi, Ljuis Hamilton. Maks Verstapen mbylli një fundjavë të jashtëzakonshme në Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1 duke fituar garën, po ashtu duke dhënë xhiron më të shpejtë, ndërsa kishte fituar provat zyrtare. Piloti 23-vjeçar holandez i Red Bullit po shkon drejt titullit të parë kampion në karrierë, ndonëse janë për t’u zhvilluar edhe 14 gara nga 23 gjithsej. Në pistën e Shpilbergut ai pati epërsi absolute, duke lënë pas Valteri Botasin dhe Lando Norrisin, ndërsa Hamilton pati dëmtim në makinën e tij Mercedes dhe përfundoi i katërti.
“Të lumtë Maks, – e përgëzuan nga skuadra, – provat, garën xhiron!” “Përgëzime të gjithëve, – ishte përgjigja e tij, – ishte e mrekullueshme. Le të vazhdojmë kështu”. Mijëra tifozë holandezë të pranishëm në tribuna e pritën idhullin e tyre me thirrjet “kampion, kampion”. Verstapeni ka 5 fitore ndaj 3 të Hamiltonit, si dhe 4 “pole position”-ë ndaj 3 të anglezit 36-vjeçar. Piloti i Red Bullit kryeson renditjen me 182 pikë ndaj 150 të Hamiltonit, 104 të Sergio Perezit dhe 101 të Botasit. Lando Norris është i katërti me Meklarenin, me 92 pikë. Për skuadrat, Red Bulli ka 286 pikë ndaj 242 të Mercedesit dhe 141 të Meklarenit. Gara e radhës është në Silverston.
Sfidanti.al