Po Riçardo, ke të drejtë! Ata pilotë që s’u përgjunjën kishin hallin e opinionit!

Është problem i madh kur je njeri public, njeri i njohur. Të tillë janë edhe pilotët e Formula 1, e mes tyre ka një polemikë për gjunjëzimin apo jo, në mbështetje të lëvizjes “Jetët e Zezakëve Vlejnë”. Daniel Riçardo, piloti i Renosë, ishte nga ata që iu përgjigj thirrjes së kampionit të botës, Ljuis Hamilton, për t’u ulur në gjunjë para fillimit të Çmimit të Madh të Austrisë, ndërsa jep mendimin e tij se përse 6 pilotë nuk e bënë këtë veprim.

“Mendoj se ata pilotë patën një problem në lidhje me kombësinë së cilës i përkasin, pra sesi do të mendohej një gjë e tillë në vendin e tyre, – tha Riçardo, – ne u ulën në gjunjë, jo për arsye politike apo ideologjike, por sepse mbështesim jetët e zezakëve. Gjithsesi, askush nuk duhet të paragjykohet apo të akuzohet për veprimin e bërë”. Pilotët që nuk u përgjunjën ishin Maks Verstapen (Holandë), Antonio Xhovinaci (Itali), Daniil Kviat (Rusi), Karlos Sainz (Spanjë), Sharl Lëklerk (Montekarlo) dhe Kimi Raikonen (Finlandë).

Natyrisht, nuk është se këta të gjashtë nuk e mbështetën Lëvizjen “BLM”, pasi ata kishin veshur fanela pro saj, por kanë pasur arsyet e tyre që nuk u ulën në gjunjë. Besohet se ata kishin të drejtë të zgjidhnin mënyrën sesi do ta mbështesnin lëvizjen në fjalë, veçse duhen kujtuar fjalët e Hamiltonit se ata nuk kishin reaguar në momentin kur ndodhën vrasjet apo dhunimet e zezakëve. Nëse do ta kishin bërë, do të kishte qenë shumë më e lehtë që të argumentonin se nuk kishte pse të gjunjëzoheshin, sidomos kur kjo po bëhej si me komandë.

Sfidanti.al