Piloti i ri i Mercedesit, priten të reja nga Valteri Botas!

Valteri Botas mund të jetë piloti i ri i Mercedesit. Edhe pse skuadra gjermane e Formula 1 nuk ka bërë asnjë deklarim, gjithsesi mediat “zhbirilojnë” në të gjitha drejtimet, dhe diçka zbulojnë. “Po bisedohet dhe shpejt do të kemi të reja”, – janë fjalët që thuhen, dhe i shpreh jo një njeri dosido, por vetë menaxheri i Botasit. A e dini se kush është ky menaxher? Besohet se ju kujtohet finlandezi i shkëlqyer, Mika Hakinen, dy herë kampion i botës. Pikërisht, triumfuesi në Formula 1 vitet 1998 e 1999, rivali i atëhershëm i Mikael Shumaherit, merret sot me fatin e karrierës së Botasit. Gazeta spanjolle, “Marka” nxjerr përfundimin se “çdo deklaratë dhe çdo lëvizje që ndodh në Formula 1 të bëjnë të mendosh se do të ketë një lajmërim të shpejtë mbi Valteri Botasin si pilotin e ri të Mercedesit”. Duket pra, se piloti i ri i Uilliamsit do të trashëgojë makinën e kampionit të botës në fuqi, Niko Rosberg, dhe do të rivalizojë me Ljuis Hamiltonin për titullin botëror të këtij viti.

Sfidanti.al