Julian Draksler bëri debutimin më të mirë që kishte mundësi, pasi shënoi në ndeshjen e parë me fanelën e Paris SG. Futbollisti gjerman gjeti rrugën e rrjetës në përballjen e Kupës së Francës që u mbyll me fitoren 7-0 ndaj Bastijës në “Park dë Prens”. Talenti 23-vjeçar nuk humbi kohë, që nga prezantimi i bërë ditën e martë, pasi në fundjavë e tregoi menjëherë klasin e tij. Ai kombinoi bukur me Hatem Ben Arfanë dhe shënoi me elegancë, duke bërë që trajneri Una Emeri ta mburrte pa rezerva.
“Juliani luajti shumë mirë, – tha ai, – është e rëndësishme që ai shënoi në debutim, pasi kjo do t’i japë besim, ndonëse gjëja kryesore është që skuadra fitoi dhe madje fitoi thellë. Ata që hynë si zëvendësues, Draksler apo Di Maria, patën motivimin e duhur dhe ekipi tregoi uri për të shënuar gola”. Provat më të vështira për Drakslerin do të jenë në kampionat ku PSG është në vend të tretë, si dhe në Ligën e Kampionëve.