Dikush e ngacmoi, ndërsa edhe vetë gjykoi se duhej të bënte diçka për të mbledhur para për gjëra të mira. Majk Tajsoni me gjasë do të kthehet në ring në moshën 53-vjeçare, dhe pritet të kërkojë një nga ato ndeshje të veçanta “ndeshje kryq”, ku do të përziheshin moshat tepër të ndryshme. Ish-kampioni absolut i peshave të rënda të boksit profesionist ka nisur stërvitjen dhe mendohet të kërkojë sfidë me Tajson Fjurin, atë që cilësohet si kampioni i kampionëve në peshat e sotme të rënda. Mediat e kanë mbuluar me lavdi për shpejtësinë dhe klasin e treguar në stërvitje, pavarësisht moshës, ndërsa personalitete si presidenti amerikan, Donald Tramp, dhe ish-kampioni Oskar de la Hoja, kanë besim tek ai.
“Vazhdo të japësh grushta Majk”, – ishte mesazhi në Tuiter i presidentit, që ka pasur miqësi me Tajsonin, kur ai ishte në kulmin e karrierës, pra në vitet 80-të. De la Hoja është shprehur se “nëse ai stërvitet siç duhet për 12 raunde, ai mund të hedhë nokaut çdo kampion të sotëm të kategorisë”. Tajsoni i dha fund boksit 15 vjet më parë, ndërsa më pas shkatërroi veten financiarisht duke shpenzuar më kot 350 milionë USD të atëhershëm, baraz me 530 milionë USD të sotëm. Gjithsesi, mund të fitojë 150 milionë USD, që mund t’i ofrohen për ndeshjen.
Sfidanti.al