Seria A do ta kishte dashur ministër të brendshëm, Salvini “pro” futbollit!

Kur ishte në qeveri tërhoqi me vete shumë kritika, por gjithsesi më shumë siguroi vota. Mateo Salvini, si të gjithë këta “trimoshët” e asaj që quhet “e djathtë pak më larg se qendra” (le ta kursejmë shprehjen ekstreme), është guximtar dhe i tregon “grushtin” koronavirusit. Ndryshe nga ministri i sporteve Spadafora (që italianët ia përdorin mbiemrin për ta quajtur “ai që nxjerr shpatën nga milli”), Salvini është pro rifillimit të Serisë A, të futbollit dhe sporteve në përgjithësi. Pak a shumë, si Donald Trampi në SHBA.

“Futbolli është pasuri kombëtare e shtetit tonë, – shprehet ai, fiks si një politikan në mision, – futbolli mban familje dhe nuk flas për Ronaldon e Ibrën, por për ata që mbyllin muajin. E kuptoj që nuk mund të jepet leje menjëherë, por duhet provuar. Flasim gjithsej për 300 000 vende pune, në të gjithë sistemin e futbollit. Skuadrat e Milanos, dhe ato të Veriut, le të luajnë në Qendër apo në Jug, ku koronavirusi ka qenë më pak i pranishëm”. Drejtuesit e klubeve të Serisë A, do të kishin pasur dëshirë që Salvini të kishte qenë sërish ministër dhe të ndihmonte kauzën e tyre nga brenda qeverisë.

Sfidanti.al