Përse kjo e diel ishte pushim në Uimbëlldon?

Kjo është një traditë në Uimbëlldon, e gjatë 140 vite! Nuk ka asnjë dilemë se turneu Grand Slam i Londrës është më i rëndësishmi në tenisin botëror dhe nuk ka tenist ose teniste që nuk ëndërron që, një ditë, ta ngrejë lart kupën e më të mirit në “All England Club”. Uimbëlldoni ka shumë tradita, por fakti që, këtë të diel, atje nuk u luajt, nuk ka shumë lidhje me to. Vendimi që të mos luhet tenis, të dielën e kaluar, në mes të turneut, është thjesht praktik, sepse, pikërisht, në këtë ditë, organizatorët e turneut “freskojnë” barin e fushës që, gjatë ndeshjeve të njëpasnjëshme, më të vërtetë, “harxhohet”, madje, në disa pjesë të saj bari rrafshohet gati me fundin e fushës.

Të dielën, kur sportistët morën një pushim të merituar dhe tifozët nuk erdhën në “All England Club”, situatën në dorë e morën Nil Stadli dhe 28 bashkëpunëtorët e tij që bënë “freskimin” e barit dhe rregulluan ato pjesë të terrenit që ishin dëmtuar nga sportistët, por edhe nga disa kafshë të vogla që ushqehen me farëra që gjejnë midis barit!.

Sfidanti.al