Pesë muaj pasi vendosi distancën e re botërore në salla të mbyllura, atleti amerikan pati një tjetër shpërthim. Rajan Krauzer, 28 vjeç, theu rekordin botëror të hedhjes së gjyles në ambient të hapur, duke arritur rezultatin 23 metra e 37 centimetra. Kjo do të thotë se Krauzeri e la shumë prapa ish-rekordin e amerikanit tjetër, Rendi Barns (23.12) vendosur para 31 vjetësh, në 1990.
Sportisti i shkëlqyer e vendosi rekordin gjatë garës amerikane për kualifikim në Lojrat Olimpike në Tokio, të zhvilluara në Juxhin (Eugene) të Oregonit, në Hejuord Fild (Hayward Field). Krauzeri thuajse e nxorri gjylen jashtë kufijve të zonës me rërë, ndërsa ka 19 gara radhazi që fiton, me 131 hedhje mbi 22 metra. Në eleminatore arriti në 22.92 metra, ndërsa gjatë finaleve në “trajals” (Trials) pati radhazi 22.61, 22.55, 22.73 dhe pastaj rekordin 23.37 metra. “Në sekondën që e e flaka gjylen nga dora e kuptova se ishte hedhje e mirë, – tha Krauzer më pas, – kam punuar shumë, kam sakrifikuar shumë për këto rezultate”. Krauzer vendosi në janar rekordin në salla të mbyllura me 22.82 metra.
Sfidanti.al