U desh kapiteni, njeriu thuajse pa gojë, dhe ylli i madh që nuk del “në dritat e skenës”. Klej Tompson ishte heroi i ndeshjes “jeto ose vdis” të Golden Stejtit, në Arenën e vet ndaj Hjustonit. Një humbje do të thoshte eleminim, por basketbollisti me numrin 11 nuk lejoi që kjo të ndodhte.
Kampionia në fuqi e NBA-së triumfoi thellë (edhe pse jo plotësisht lehtë), 115-86, dhe fati i finaleve të Perëndimit do të vendoset duke u gdhirë e marta, në përballjen e shtatë dhe të fundit në Arenën e Hjustonit.
Tompson shënoi 35 pikë dhe ishte i saktë në 9 gjuajtje për tri pikë, pavarësisht nga mbrojtja e ashpër që i bëri atij skuadra mike. Ai shtoi 6 topa në tabela, 2 asistë dhe 4 vjedhje topi, në një paraqitje pa asnjë njollë, në 38 minuta në parket.
Golden Stejti mësoi sërish të përdorte siç duhet të katër yjet kryesorë. Kevin Duranti shënoi 23 pikë (7 tabela, 4 asistë), Stefën Kërri shtoi 29 pikë (5 tabela, 6 asistë), ndërsa Drejmond Grin pati 4 pikë, 10 topa në tabela, 9 asistë, 4 vjedhje topi dhe 5 bllokime gjuajtjesh.
Në krahun tjetër, Hjustoni vuajti mungesën e organizatorit Kris Pol, lojtarit të dytë më të rëndësishëm në ekip pas Xhejms Hardenit. Nuk dihet nëse Pol do të jetë gati për sfidën përfundimtare. Harden e bëri të vetën me 32 pikë, 7 topa në tabela e 9 asistë, Gordon, Grin dhe Ariza i dhanë një dorë (44 pikë të tre së bashku), por qendra Klint Kapela nuk pati mbrëmjen e duhur.
Sfidanti.al