Nju Orlinsi ëndërron me Uilliamsonin, dominon edhe kur nuk është “top”!

Shënoi 38 pikë dhe bëri shumë gjëra të tjera, por sërish trajneri i tij, Sten Van Gandi, deklaroi se kjo nuk ishte ndeshja e tij më e mirë. Zajon Uilliamson ishte dominues edhe pa qenë në 100 për qind të formës, dhe Nju Orlins Pelikans arriti një tjetër fitore. Suksesi ishte 116-109 në fushën e Klivlendit, dhe djaloshi i ri realizoi 16 nga 22 gjuajtjet nga loja. Pasi fitoi pak ditë më parë duelin ndaj Zhoel Embijdit, në fitoren e Nju Orlinsit kundër Filadelfias, Zajoni u përsërit. Ai pati edhe 9 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa po ndihmon ekipin që të ngjitet në renditje i sapokthyer nga dëmtimi. Uilliamson është në vendin e 8-të me mesataren më të mirë të sezonit, ndërsa është në vendin e 9-të në renditjen e lojtarëve më të mirë të sezonit. Në moshën 20-vjeçare, këto janë statistika të shkëlqyera, ndërsa Nju Orlinsi është shumë pranë zonës së plej ofit në Perëndim.

Sfidanti.al