Barça kalon për herë të parë Realin, Junajtidi për herë të parë jashtë podiumit

Katalanasit janë klubi më i vlefshëm financiarisht i futbollit në botë, duke lënë pas për herë të parë rivalin e madh, Realin e Madridit. Barcelona vlerësohet në 4.76 miliardë USD, duke përfshirë pronat e patundshme, vlerën e kartonëve të lojtarëve, bazën e tifozëve, dhe rezultatet. Reali është shumë pranë, por për herë të parë i lënë prapa nga blaugranët, me 4.75 miliardë USD. Vlen të theksohet se Mançester Junajtid bie për herë të parë nga treshja e parë, pra nga podiumi, duke ia lënë vendin Bajernit. Bavarezët kanë vlerë 4.22 miliardë USD dhe “djajtë e kuq” arrijnë në 4.2 miliardë. Liverpuli ngjitet fuqishëm në renditjen e këtij viti duke lënë pas edhe Mançester Sitin, pasi klubi i “Anfildit” vlerësohet në 4.1 miliardë USD. Man. Siti është në vend të 6-të dhe i fundit që vlerësohet deri në 4 miliardë USD. Pas tij vijnë Çelsi dhe Arsenali, ndërsa Paris SG është vetëm në vend të 9-të, duke lënë në vend të 10-të Totenhemin. Në renditjen e revistës “Forbs” (Forbes), ka 6 klube të Premier Ligës angleze në 10 vendet e para.

Sfidanti.al