Luiza Gega vijon me ritëm të plotë stërvitjen në kuadër të Paris 2024 dhe ndryshe nga sportet pompoze të rrethuar nga propaganda dhe fjalët, kampionia jonë e madhe preferon rrugën më të gjatë drejt suksesit, punën. Në një kohë kur futbolli jonë peshohet me shkallët e hierarkisë që ngjit Armand Duka në UEFA apo volejbolli katastrofë me rizgjedhjen e Erlis Pëllumbit në krye të federatave ballkanike, kampionia jonë e Europës vijon të ndjekë rrugën e saj, herë në Tiranë, herë në Kenia apo në Korçë. Ja se çfarë rrëfimi bën ajo në një intervistë për “Zona 30” në RTSH;
Flasim pak për rutinën tuaj. Tani është ora 10 e paradites, relativisht freskët por ti nuk mungon asnjë ditë në takimin me pistën
“Në periudhën e dimrit nis pak më ndryshe, sepse mundohem të gjej kohën më të përshtatshme, sepse atletika është një sport që stërvitesh jashtë dhe i ftohti ndikon. Dita nis më me kujdes. Nuk zgjohem shumë heret, gjumin e kam shumë të rëndësishëm, sepse bëj dhe një sport shumë të lodhshëm, kështu që rikuperimi është shumë i rëndësishëm”.
Sa e ka lehtësuar punën tënde ndërtimi i kësaj piste?
“Që nga 2016, kur u prish stadium ‘Qemal Stafa’, ku ne stërviteshim, u bë shumë e vështirë. Për të plotësuar të gjithë stërvitjen, sepse unë stërvitem dy herë në ditë, pista më e afërt ishte ajo e Elbasanit. Duhet të shkonim pothuajse çdo ditë dhe kjo e vështirësonte regjimin tim. E kisha shumë të vështirë. Kështu që kjo pistë është një lehtësim i madh. Nuk është se unë rri gjithë kohës në Tiranë, pjesën më të madhë më duhet ta kaloj në male, për shumë arsye që më ndihmnojnë të arrij në këto nivele që jam. Mundohem të eci me hapat e konkurentëve të mi, sepse me ata do garoj nesër”.
Përpara pak ditësh je kthyer nga Afrika, një rrugëtim që e ndjek prej vitesh, sa të ka ndihmuar?
“Kam 10 vite që shkoj atje gjatë periudhës së dimrit për tiu shmangur të ftohtit, por dhe për lartësi mbi nivelin e detit që mua më duhet. Atje është një lartësi 2400m, është shumë e mirë përsa i përket stërvitjes bazike. Më ka ndihmuar që të jem një sportiste më e mirë. Kjo është arsyeja që shkoj çdo vit dhe me një objektiv të caktuar. Nuk është se shkoj për jetën e bukur, sepse Afrika është një vend shumë i varfër dhe ndonjëherë mungojnë dhe ushqimet e mia të preferuara, por kushtet e stërvitjes janë shumë të mira”.
Si ndihesh fizikisht? Jemi në një vit shumë të rëndësishëm në aspektin sportiv.
“Mund të them se nga ana emocionale ndihem më e emocionuar, sepse është një vit i rëndësishëm. Fizikisht po kaloj një periudhë shumë të mirë. Faza përgatitore që zhvillova në Kenia shkoi shumë mirë. Kryesorja është që nuk kam dëmtime, sepse kjo të penalizon. Jam optimiste. Nuk po them për medalje, sepse është shumë e vështirë, por që…”.
Koha që të dhuroi të artën në europianin e Mynihut 2 vite më parë. Do të mjaftonte për një medalje olimpike? Si e parashikon duke ditur faktin që ti i studion edhe kohët e rivaleve.
“Po të shikosh grafikun se si shkojnë rezultatet, gjithmonë forcohen, është e vështirë, por që edhe unë kur arrij një objektiv, sigurisht që tjetri është akoma më i lartë. Në vitin 2023 unë realizova një kohë akoma më të mirë, është një hap i vogël, por pata një dëmtim dhe mendoj që më penalizoi. Stërvitja dhe objektivi ishte për një kohë më të mirë. Shpresoj që ta realizoj këtë herë”.
Meqë po flasim për rivalet. Cilat janë më të rrezikshmet për ty, për ne këto momente?
Gjithmonë i studio rivalët, ashtu siç bëjnë dhe ata me mua, ku stërvitet, çfarë po bën, sepse është shumë e rëndësishme. Sigurisht, garën kryesore e kam me veten, por përsëri është ambicia. Atletet keniane dhe etiopianet janë rivalet më të forta, në distancat e gjata janë dominuese”.
Je e vetmja që bashkë me Abakharov, momentalisht ke një biletë për në Paris, pak demotivues ky fakt kur mendon që delegacioni shqiptar mund të jetë më i reduktuar se asnjëherë më parë.
“Në fakt, unë nuk kam patur ndonjëherë problem kapjen e normës, sepse objektivat e mia janë që të arrij një rezultat sa më të mirë. Sigurisht që është për të ardhur keq, sepse është ndryshe kur ti meriton të jesh atje dhe ndryshe kur mer një ftesë”.
Jemi në fund të një brezi të artë?
“Për fat të keq, po të shikosh sportistët më të mirë në Shqipëri janë të gjithë mbi 30 vjeç. Ende nuk po dalin, ka ndonjë këtu aty, është për të ardhur keq. Shpresoj shumë që do ndryshojë”.
Deri ku mund të arrish në Olimpiadë?
“Shiko, gjithmonë duhet luftuar deri në fund, sepse mendon se nuk është momenti jo, por në fakt mund të jetë. Mendoj se një vend në Top 5 është i mundur. Sigurisaht që ka një konkurencë të madhe, por e mendoj në Top 5. Unë kam arritur të jem dhe në pesëshen e botës, njëra ikën e vje një tjetër, por niveli ky është. Ambicia dhe fokusi i të gjithë sportistëve do jetë që të japin maksimumin në këto Lojëra Olimpike”.
Cili ka qenë momenti më i bukur i vitit që lamë pas?
“Gjatë vitit të kaluar, Kampionia Olimpike Europiane, isha me më shumë medalje, pata një vëmendje shumë të madhe nga të gjithë mediat”.
Po më i vështiri?
“Dëmtimet. Dëmtimet në tendinë dhe unë kam shkuar në Lojërat e mia të para Olimpike e dëmtuar, dhe në të dytat nuk kam patur formën time më të mirë, vija nga një vit shumë i vështirë. Kjo është e treta e vërteta dhe shpresoj shumë, dua të ngelen një kujtim shumë i bukur këto Lojëra”.
Një mesazh për të gjithë…
“Sporti të bën një njeri më të mirë, të meson rregullat, mer shumë nga sporti. Bëhesh një personalitet më i fortë. U mëson fëmijëve se si të përballesh me suksesin apo dështimin, ka shumë të mira. Më pas, nëse dikush, e ka një ëndërr, ka një talent, sigurisht që do e ketë rrugën më të hapur. Sportistëve që kanë një ëndërr unë them se mund t’ia dalin. Nuk e konsideroj veten si shembull, por si dikush që ia ka dalë kur nuk ka patur as mbështetje, as ndihmë financiare. Nuk është kurrë vonë. Më janë dashur 22 vite për tu ngjitur në majë të Europës, e kam nisur si e fundit, i kam ngjitur shkallët shumë ngadalë. Ndoshta do e shkruaj biografinë time në të ardhmen, sepse në këto vite më kanë ndjekur shumë sfida”.