Një garë kampionësh të mëdhenj që pati fund të turpshëm

Dënimi që e la Sebastian Fetelin pa fitore në garën “Formula 1” të Kanadasë, ka ngjallur mjaft reagime midis tifozëve, si edhe midis ish-automobilistëve që ndoqën zhvillimet në Montreal. Mario Andreti legjendar që ka qenë kampion i “Formulës 1” më 1978, shkroi në profilin e tij në Twitter:

“Kam mendimin se detyra e njerëzve përgjegjës është dënimi i lëvizjeve të qëllimshme me karakter sigurie dhe jo i atyre lëvizjeve që vijnë si rezultat i garës së fortë. Ajo që ndodhi në Kanada, është e papranueshme në këtë nivel të këtij sporti të rëndësihëm”. Në këtë mënyrë, piloti legjendar i mësipërm mori anën e Fetelit që e ndjeu veten të dënuar në mënyrë të pamerituar me pesë sekonda.

Të njëjtin qëndrim mban edhe piloti tjetër legjendar, Najxhell Mansell. Këtij bashkatdhetari te Hamiltonit nuk i pëlqeu aspak finishi i garës së Kanadasë.

“Me të vërtetë, ndodhi diçka e turpshme. Ishte diçka fantastike, kur shihje një garë kampionësh që, për fat të keq, përfundoi me rezultat fals”, shkroi Manselli në profilin e tij.

Sfidanti.al