E gjithe bota sportive qan Nicky Hayden. Piloti amerikan i kampionatit të Superbike humbi garën më të rëndësishme të tij, atë për jetën. Në orën 17:40, stafi mjekësor i spitalit ‘Bufalini’ të Cesenës konfirmoi ndarjen nga jeta të pilotit 35 vjecar, pavarësisht përpjekjeve të bëra për ta shpëtuar. Plagët e marra në kokë dhe kraharor rezultuan fatale për ish kampionin e botës në MotoGP. Nicky Hayden e pësoi aksidentin në zonën e Ricciones duke u stërvitur me biciklete. Piloti u përplas në xhamin e përparmë të një makine të tipit Peugeot duke marrë plagë të rënda, ndërkohë që bicikleta e tij ra në një kanal në anë të rrugës. Për 5 ditë amerikani qëndroi në sallën e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve që për fat të keq nuk mundën dot të evitonin tragjedinë. Lajmi i hidhur për vdekjen e Nicky Hayden u prit me shumë trishtim në botën e motociklizmit si dhe në atë të sporteve të tjerë. Marc Marquez, Dani Pedrosa, Max Biaggi apo Loris Capirossi nëpërmjet rrjeteve sociale shprehën dhimbje për kampionin e Botës të MotoGP në 2006 që u shua në një moshë relativisht të re.
sfidanti. al