Nerva të tensionuara e përjashtime, ç’ndodh me Golden Stejtin!

Renditja nuk është e keqe, edhe pse jo ajo e tri sezoneve të fundit. Golden Stejt, kampionia në fuqi e NBA-së, ka diçka që nuk i shkon mbarë dhe trajneri Stiv Kerr u detyrua të lëshonte një alarm. “Po kalojmë çdo masë, – tha ai, – ne nuk jemi aspak të përqëndruar si duhet, dhe po tregohemi shumë emocionalë, një skuadër kampione nuk duhet të sillet kështu”.

Kerr ka të drejtë, pasi Kevin Durant u bë lojtari më i fundit i përjashtuar nga fusha, së bashku me yllin e Nju Orlinsit, Damarkus Kouzins, pasi u përplasën me njëri-tjetrin. Të dielën, Shon Livingston u përjashtua pasi pati kontakt fizik me gjyqtarin. Më herët, Durant pati një tjetër përjashtim pas debatit me arbitrin në fitoren ndaj Orlandos.

Në tetor, përjashtim mori Drejmond Grin, ndërsa më përpara gjatë atij muaji, morën faull teknik edhe Duranti, edhe Stefën Kërri. Durant është përjashtuar 3 herë në 18 ndeshje, më shumë sesa i kishte ndodhur në 800 ndeshjet e mëparshme në karrierë. “Edhe unë duhet ta bëj më mirë detyrën time”, – ishin fjalët e trajnerit Kerr.

Sfidanti.al