Në Los Anxhelos nuk janë vetëm Lejkërsat, fitojnë edhe Klipersat!

Në një ndeshje “të shëmtuar” për standardet e NBA-së, skuadra tjetër nga Kalifornia e hodhi sërish hapin drejt finales së Konferencës Perëndimore. Los Anxhelos Klipersat fituan ndaj Denverit me shifrat 96-85 dhe morën kryesimin 3-1 në serinë e plej ofit. U duhet edhe një tjetër fitore, dhe kaq. Kauaj Leonardi e tregoi veten edhe një herë se po i afrohet (ose e ka arritur) formën e tij maksimale, me 30 pikë, 11 topa në tabela, 9 asistë, 4 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Ai ishte i vetmi nga lojtarët e Klipersave që qendroi shumë në parket, gati 39 minuta, pasi të tjerët ishin më pak 30. Pol Xhorxh luajti më pak se 27 minuta (shënoi 10 pikë), dhe duket se po mendohet për të kursyer forcat për finalen. Nga Denveri shkëlqeu sërish Nikola Jokiç me 26 pikë, 11 topa në tabela e 6 asistë, por nuk mjaftoi. Në duelin tjetër gjysmëfinal, por në Lindje, Toronto barazoi serinë në 3-3 ndaj Bostonit duke fituar 125-122 pas dy kohëve shtesë.

Sfidanti.al