Ky është problemi i tyre më i madh, që nuk mund të jenë për shumë ndeshje në nivel konstant. Treshja e madhe e Los Anxhelos Lejkërsave pati një ndeshje për t’u harruar në NBA, ndonëse luhej në “Stejpëll Sentër”. Minesota, e udhëhequr nga Karl-Entoni Tauns arriti fitoren 110-92, pra me diferencë të rëndësishme, ndërsa treshja e madhe vendase nuk e bëri dot detyrën. Lebron Xhejms shënoi vetëm 18 pikë dhe kapi 10 topa në tabela, si dhe pati 5 asistë, Rasëll Uestbruk shtoi vetëm 14 pikë, ndërsa Entoni Dejvis shënoi vetëm 9 pikë, por nuk pati shumë faj sepse dy herë u largua nga parketi për shkak dëmtimesh. Lejkërsat patën mungesa për shkak të Kovidit, por gjithsesi lojtarët kryesorë i patën në fushë, e kjo nuk u bëri punë. Liqenasit janë në vendin e 6-të në Konferencën Perëndimore me 16 fitore e 14 humbje, shumë prapa Golden Stejtit që ka 24 fitore e vetëm 5 humbje.
Sfidanti.al