NBA, shumë Adetokumbo për Bostonin edhe në Boston, Miluoki pranë finales!

Ishte një nga ato përballje në në Shtetet e Bashkuara i quajnë “masive”. Që do të thotë se janë me rëndësi kaq të madhe saqë mund të bëhen përcaktuese. E tillë ajo e Miluokit në fushën e Bostonit, në gjysmëfinalen e plej ofit në NBA, dhe me shumë gjasa do të jetë vendimtare. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan triumfuan në fund, në një duel nervash në Arenën e Bostonit, me shifrat 110-107. Skuadra me emrin “Drerët” u udhëhoq nga kapiteni Janis Adetokumbo, lojtari më i mirë i finaleve të vitit të kaluar, që shënoi 40 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 3 asistë. Greko-afrikani vodhi një top e bllokoi një gjuajtje, ndonëse i mbuluar ashpër nga vendasit e humbi topin 7 herë dhe shkaktoi 4 faulla personalë.

Miluoki e ndjeu sërish mungesën e kampionit olimpik, Kris Midëlton, edhe pse Holidei shënoi 24 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 8 asistë. Më shumë se disa titullarë bënë lojtarët e stolit si Portis e Konauton, ndërsa Bostoni u dorëzua në fund. Ylli kryesor i Sëlltiksave, Tatëm, shënoi 34 pikë, por gaboi shumë në gjuajtje sidomos nga largësia, dhe ndihma më e madhe për të ishte nga Xhejlën Braun me 26 pikë. A do të thotë kjo se kampionët e treguan veten dhe tani do të shkojnë në finalen e Konferencës së Lindjes? Ende asgjë nuk është vendosur, por me një Adetokumbo të tillë dhe duke luajtur në shtëpi, mund t’ia dalin. Në fund të fundit, u duhet vetëm një fitore.

Sfidanti.al