Është 16 herë kampion i NBA-së, prej vitesh jashtë pretendimit. A thua, më në fund, Los Anxhelos Lejkërs po kthehet? Skuadra e famshme kaliforniane, e re në moshë, tregoi se largimi i Kobi Brajantit i ka bërë mirë. Kjo, jo në një ndeshje dosido, por me ekipin numër 2 të sezonit të kaluar. Golden Stejti, me yjet e mëdhenj Stefën Kërri e Kevin Durant, dhe me lojtarë të tjerë të shkëlqyer si Tompson apo Grin, nuk përballoi dot basketbollin kolektiv të vendasve.
Përfundoi 117-97, s’ka më keq për Uorriorsin, dhe 6 lojtarë të Lejkërsit shënuan të paktën 10 pikë. Rendëll, Uilliams, Rasëll, Ajngrëm, Jang e Nens Xhunior ishin të papërmbajtshëm. Për Golden Stejtin alarmi është i madh. Jo vetëm për humbjen e thellë, e dyta këtë sezon, por edhe për zbehjen e plotë të lojtarit më të mirë, Stefën Kërri, që shënoi vetëm 13 pikë. i vetmi që nuk mund të kritikohej ishte Durant.
Nuk mund të thuhet ende se Lejkërs do të sfidojnë për titull këtë sezon. Ata kanë 3 fitore e 3 humbje, por ku i dihet! Janë shumë të rinj dhe mund të përmirësohen shpejt.
B. Kuka